Përurohet salla e re sportive në Zhelinë

Posted on 09.06.2016

Më datë 20.05.2016 (e premte), me rastin e patronatit të shkollës fillore ,,Luigj Gurakuqi”-Zhelinë, u inaugurua salla sportive po në këtë shkollë, e ndërtuar në kuadër të projektit përkatës. Të pranishëm në këtë eveniment ishin, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, Ministrat aktual dhe ish ministrat e BDI-së, deputet, funksionarë të lartë shtetërorë, stafi mësimor dhe drejtorë të shkollave, administrata komunale dhe shumë qytetarë të komunës së Zhelinës.

Kryetari i Komunës së Zhelinës z. Fatmir Izairi, duke përshëndetur të pranishmit shprehu urimet për përvjetorin e shkollës fillore ,,Luigj Gurakuqi”, njëherit edhe për inaugurimin e sallës sportive, me kushte bashkëkohore sportive, për shumë lloje të lojrave të sportit, e cila do të jetë në shërbim për të gjitha mosha, duke reflektuar impakt pozitiv në aspektin shëndetësorë dhe fizik të qytetarëve dhe nxënësve.

Kryetari Izairi theksoi se salla sportive ka qenë një domosdoshmëri e kohës dhe tani më është në shërbim të qytetarëve, e cila do të ngrit vetëdijen kolektive në edukimin fizik dhe shëndetësor dhe një ndër vatrat e rëndësishme për çdo gjeneratë në të ardhmen.

Lidhur me kushtet në shkollat fillore të komunës, ai theksoi se aktualisht shkollat në Komunën e Zhelinës funksionojnë në kushte më të mira dhe bashkëkohore për realizimin e suksesshëm të qëllimeve mësimore. Sigurisht që investimet e kryera në ndërtimin e shkollave të reja dhe ndërhyrjet për rregullimin e shkollave aktuale, nuk do të finalizoheshin pa përkrahjen e pushtetit qendror, investime të cilat arrijnë vlerën afër 1 milion euro, të cilët me qasje serioze për ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, kanë mbështetur çdo iniciativë të ngritur nga Komuna jonë, deklaroi mes tjerash kryetari Izairi.

Me theks të veçantë falënderoi përkrahjen dhe angazhimin permanent e të pa lodhshëm të Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Z. Ali Ahmeti, ish ministrin e arsimit Abdylaqim Ademi, ish ministrat tjerë dhe ministrat aktual. Kryetari Izairi mes të tjerash përmendi edhe të gjitha projektet tjera infrastrukturore të realizuara në Komunën e Zhelinës, zonën industriale për të cilën theksoi se është një shpëtim për komunën e Zhelinës, si dhe duke shpalosur përpara qytetarëve edhe kërkesat e radhës nga pushteti qendor, respektivisht nga kryetari Ahmeti për zgjidhjen e planit urbanistik në Jerebinë, duke hedhur poshtë arsyetimin e Ministrisë së mbrojtjes për vendin përkatës. Në këtë eveniment para të pranishmëve fjalë rasti pati edhe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, i cili njëherit i përshëndeti të pranishmit dhe shprehu urimet e sinqerta për sallën sportive.

Ai mes tjerash pohoi se mburret me kryetarin e kësaj komune z. Izairin, sepse ka qenë prognozë e saktë e tij në kohën e zgjedhjeve lokale se komunës së Zhelinës i nevojitet një mjek që ta shëroj, andaj sot kjo komunë vërtetë është shëruar dhe ka ndryshuar në tërësi, pas një krize të thellë organizative dhe financiare në të cilën ishte në atë kohë, kështu që falë angazhimit serioz të kryetarit aktual, duke sakrifikuar tërë qenien e tij humane, e ngriti në këmbë përsëri këtë komunë.

Kryetari Ali Ahmeti, edhe njëherë premtoi se për këtë komunë do të bëj maksimumin, për të finalizuar çdo kërkesë të saj, për projektet madhore të cilat i ka përcaktuar në të ardhmen. Falënderim të veçantë për hapjen e kësaj salle dhe rastin e shënimit të patronatit të shkollës, në fjalimin e tij mbajti edhe drejtori i shkollës “Luigj Gurakuqi” z. Ruhi Demiri, deputetja e kësaj zone Nora Aliti, ish ministri i arsimit Abdylaqim Ademi dhe ministri aktual i arsimit z. Pishtar Lutfiu. Ministri Lutfiu, mes tjerash theksoi: “vazhdimi i këtij projekti dëshmon se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është përcaktuar që ti plotësojë të gjitha kushtet dhe nevojat nxënësve dhe shkollave për mësim cilësor, modern dhe të shëndoshë.

Të nderuar të pranishëm, Sot po e përurojmë ndërtimin e sallës shkollore në Zhelinë, që është e Modelit të 2-të me një sipërfaqe prej 1300 metra katrorë, me tribunë dhe me të gjitha pajisjet e tjera që do të shërbejnë për sport, në futboll, hendboll, voleboll dhe gjimnastike.

Pra, në të do të mund të praktikohen të gjitha sportet që janë pjesë e procesit edukativ-arsimor. Ashtu siç po e plotësojmë sot një nevojë sportive për nxënësit e kësaj shkolle, ne si ministri jemi të prirur të themi se do të jemi në krah të interesave të nxënësve dhe shkollave, me qëllim të krijimit të kushteve më moderne ashtu siç e meritojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Në fund, të nderuar të pranishëm, nxënësve e mësimdhënësve por edhe të rinjëve të kësaj ane ua uroj sallën e re sportive”. E gëzofshim sallën e sportit dhe gjithë ndryshimet pozitive në Komunën e Zhelinës!